Pranim – dorëzim në ATK: Mentor Hyseni pason Ilir Murtezajn në krye të institucionit

Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në ambientet e Administratës Tatimore të Kosovës, u bë pranim–dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së. 

Pas përfundimit të mandatit të tij, z. Ilir Murtezaj i dorëzoi detyrën Drejtorit të ri të Përgjithshëm, z. Mentor Hyseni, i cili u përzgjedh pas një procedure rekrutimi të rregullt dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore. 

Në këtë ceremoni mori pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, i cili falënderoi z. Murtezaj për punën dhe rezultatet e arritura gjatë mandatit të tij, duke theksuar se kontributi i tij ka qenë i rëndësishëm në rritjen e të hyrave buxhetore dhe përmirësimin e shërbimeve tatimore. Ministri Murati gjithashtu uroi z. Hyseni për detyrën e re, duke i ofruar mbështetjen e plotë të ministrisë për të avancuar më tej reformat dhe për të forcuar kulturën e llogaridhënies dhe transparencës në sistemin tatimor të Kosovës. 

Z. Murtezaj falënderoi stafin e ATK-së për bashkëpunimin dhe përkushtimin gjatë viteve të tij në detyrë, duke theksuar se suksesi i institucionit është rezultat i punës së përbashkët. Ai i uroi  suksese drejtorit të ri z. Hyseni në realizimin e objektivave strategjike të Administratës Tatimore. 

Nga ana tjetër, z. Hyseni shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe theksoi se do ta ushtrojë detyrën me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet, duke vënë në prioritet ngritjen e transparencës, përmirësimin e efikasitetit, si dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve. Ai po ashtu, u zotua se do të punojë ngushtë me stafin e ATK-së dhe partnerët institucionalë për të garantuar mbledhjen e drejtë dhe të barabartë të të hyrave buxhetore, në përputhje me ligjin dhe në të mirë të interesit publik. 

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e angazhuar në përmbushjen e misionit të saj për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP