Mehajt në Pentagon i premtohet mbështetja e ShBA-së për FSK-në

Ministri i Mbrotjes, Armend Mehaj, është takuar me zëvendës-sekretaren e Mbrojtjes për Politika në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sasha Baker, ku kanë biseduar për progresin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Atij i është premtuar vazhdimësi e ofrimit të mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Gjatë takimit në Pentagon me zëvendës-sekretaren e Mbrojtjes për Politika në kuadër të Departamentit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sasha Baker, së bashku me gjeneral Jasharin biseduam për progresin e FSK-së, rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e qeverisë në situatën aktuale gjeopolitke, luftën në Ukrainë, për të cilat çështje zonja Baker shprehu vlerësim të lartë për qasjen dhe kontributin e Republikës së Kosovës, sidomos në evakuimin e refugjatëve afganë, dhe gatishmërinë për të trajnuar dhe pranuar refugjatë ukrainas në një situatë aspak të lehtë për Evropën dhe botën në përgjithësi që po përballet me një krizë ekonomike, e shumë më tepër humanitare përballë agresionit të pamëshirshëm rus”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

Përveç tjerash ata kanë biseduar edhe për nevojat që FSK ka sa i përket furnizimit me armatime, si dhe gatishmërinë që si shtet e ushtri ka për të bashkëpunuar në çdo nivel, ngase zhvillimi i brendshëm por edhe stabiliteti i gjithmbarshëm i shteteve varet nga shkalla e bashkëpunimit.

“Si një shtet që para pak vitesh kemi kaluar një periudhë lufte të tmerrshme dhe dhimbjesh të paharrueshme, e kemi të qartë se sa të vështirë e ka një shtet-autor i krimeve të largohet nga skenarët e zhanrit të njëjte, e se si zgjidhja e vetme që historia të mos përsëritet asnjëherë në asnjë shtet është lidhja e kombeve në BE dhe në NATO”.

“Republika e Kosovës pashkëputshëm është e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo shtet anëtar të NATO-s që beson në vlerat demokratike dhe në lirinë e kombeve”.

“Gjithë kjo situatë, qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe përparimi që FSK ka arritur me implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit por edhe qeverisjes qendrore në përgjithësi, bëjnë që shteti i Kosovës të perceptohet si një aleatë i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe shtet kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit”.

Go to TOP