Policia vendos kamera të sigurisë në Leposaviq

Policia e Kosovës sot në Leposaviq ka filluar vendosjen e kamerave të sigurisë.

Gazetarja nga vendi i ngjarjes ka dërguar edhe fotografi ku shihen pjesëtarë të Policisë duke i vendosur kamerat para objektit të komunës në Leposaviq.

Ndryshe mesditën e së premtes, qytetarët serb u mblodhën para objekteve komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Kurse më pas dera e komunës së Leposaviqit është hapur, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Njësia Speciale e Kosovës ka përdorur gazlotsjellës për të shpërndarë turmën e serbëve lokal të cilët janë barrikaduar para objektit të komunës, e të cilët nuk kishin dëgjuar ultimatumin për t’u larguar.

Kurse gjatë ditës së sotme ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shkuar në Leposaviq, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune.

Ai pas takimit me kryetarin e komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi, ka thënë se i ka ofruar atij mbështetje dhe se janë pajtuar që të gjitha institucionet qëndrore dhe lokale të punojnë për të mirën e qytetarëve pa dallim. Teksa ka theksuar se Policët e Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në atë pjesë të vendit sepse siç tha ai, “këtu është Republikë e Kosovës”.

Për ngjarjen e djeshme ka pasur reagime të shumta duke e cilësuar si provokim vendimin e Qeverisë në veri të vendit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dje tha se masat e dhunshme duhet të ndërpritet menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, tha ai.

Kurse Kryeministri përmes një reagimi që ka bërë të shtunën në Facebook, ka thënë se shkuarja e kryetarëve në vendet e punës do të ishte gjëja më normale, ku objekti i komunës është  vendi ku qytetarëve u jepen shërbime në bazë të ligjit e kushtetutës

“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, ka shkruar Kurti,

Teksa Aleanca ushtarake e NATO-s, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit dhe të zgjidhin situatën përmes dialogut.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu në Twitter ka thënë që KFOR-i do të jetë vigjilent dhe do të ofrojë mjedis të sigurt në veri.

Go to TOP