Policia shpëton turisten çeke të bllokuar në shkëmbinjtë e Filikurit
Një turiste çeke është shpëtuar sot në zonën e thepisur të Gjirit të Filikurit në Shqipëri, në bashkëpunim mes Komisariatit të Policisë Himarë dhe Policisë Kufitare.
Sipas Policisë, së Shqipërisë turistja kishte mbetur e bllokuar gjatë një zbritjeje me litar në terren shkëmbor dhe kërkoi ndihmë pas një rrëzimi. Pas marrjes së njoftimit, forcat policore reaguan menjëherë duke shkuar në vendngjarje dhe lokalizuar turisten.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë, ajo u nxor në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë dhe u transportua me mjet lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës, e më pas në qendrën shëndetësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Policia apelon për kujdes ndaj të gjithë vizitorëve dhe pushuesve që eksplorojnë zona të thella apo të vështira, duke i këshilluar të marrin masa paraprake për sigurinë e tyre. /Kosova.info/
