Zelensky përmend fitoret në fushëbetejë, amerikanët paralajmërojnë rreziqe të reja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përmendur një “një seri fitoresh” në fushëbetejë kundër forcave pushtuese ruse, por gjithashtu i është bashkuar ushtrisë perëndimore dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë, të cilët kanë paralajmëruar rreziqe të reja.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se derisa ukrainasit “po mposhtin Rusinë”, ka ende shumë punë për të bërë.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, gjatë një vizite në Poloni shprehu shqetësimet për atë se si mund të reagojë Moska ndaj pengesave në këtë betejë, duke u kërkuar trupave amerikane në Evropë dhe aleatëve që të jenë në “vigjilent dhe në gjendje të larta gatishmërie”.

Më herët gjatë ditës, ushtria e Ukrainës tha përmes Telegramit se trupat e saj kishin vendosur një urë në lumin Oskil, në kundërofensivën e tyre në rajonin verilindor të Harkivit, ku duket se këtë muaj kanë rimarrë mijëra kilometra territor.

Javën e kaluar, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Hayday, shkroi në Telegram se “Rajoni i Luhansk është i ardhshmi. Ç’okupimi nuk është larg”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet në fushëbetejë në zonat ku lufta po zhvillohet intenzivisht.

Presidenti Biden tha gjatë një paraqitje televizive se “Fitorja e luftës në Ukrainë do të thotë të largosh Rusinë plotësisht nga Ukraina dhe të njohësh sovranitetin [ukrainas]”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të gjerë në fund të shkurtit. Konflikti është më i madhi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar më shumë se 5.500 civilë të vrarë dhe mbi 6.6 milionë të zhvendosur, edhe pse numri i viktimave besohet të jetë shumë më i lartë. Humbjet ushtarake janë po ashtu të mëdha: mbi 9.000 ukrainas të vrarë dhe mbi 25.000 rusë – sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore.

Go to TOP