Përjashtimi i Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender 2023”: Osmani dhe Kurti lavdëroheshin me të

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dje ka treguar se e kanë përjashtuar Kosovën nga stërvitja e njohur ushtarake “Defender Europe 2023”.

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit që Qeveria e Kosovës ka bërë ndaj kërkesave amerikane në lidhjen me situatën në veri.

Ditë më parë, në ceremoninë e hapjes së kësaj stërvitjeve ushtarake të NATO-s, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë stërvitje e kishin cilësuar si shumë të rëndësishme për Kosovën.

Madje, sipas tyre, kjo ishte një stërvitje historike për Kosovën dhe FSK-në.

“Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërsisë tonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndroi vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti e bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e paqësore”, ka thënë Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti ishte shprehur krenar me pjesëmarrjen e Kosovës në këtë stërvitje.

“Mbi 1 mijë e 300 ushtarak të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore e ushtarake. Ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e qeverisë dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional”, kishte thënë Kurti.

Ambasadori amerikan në Prishtinë sot ka bërë me dije se përjashtimi i Kosovës nga ky ushtrim është masa e parë që SHBA-ja ka ndërmarr ndaj Kosovës për shkak të ndërhyrjeve në veri.

Ai ka thënë se mund të ketë edhe pasoja tjera ndaj shtetit të Kosovës.

“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu.”, ka thënë ambasadori amerikan.

Go to TOP