Blerta Foniqi Kabashi kujton babanë, Shaqir Foniqin: Më mësoi përkushtimin, dinjitetin dhe qëndresën

Gazetarja Blerta Foniqi Kabashi ka ndarë një rrëfim prekës për babanë e saj, gazetarin veteran Shaqir Foniqi, në përvjetorin e 36-të të largimit të dhunshëm të punëtorëve shqiptarë nga Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP) nga regjimi serb.

Ajo kujton se, edhe pse ishte vetëm gjashtë vjeçe, nuk do ta harrojë kurrë ditën kur babai dhe nëna e saj mbetën pa punë, ndërsa familja u dëbua edhe nga banesa.

“Atë ditë, babi u përndoq nga puna. Mami po ashtu. Në banesën tonë u futën policë serbë, ndërsa gjërat tona u hodhën jashtë. Brenda një dite, prindërit e mi mbetën pa punë dhe pa shtëpi”, shkruan ajo.

Foniqi Kabashi thekson se familja i përballoi vitet e vështira falë sakrificës së prindërve dhe mbështetjes së të afërmve, ndërsa kujton me emocione edhe angazhimin e babait në edicionin nga Kosova në TVSH, kur çdo kthim i tij i sigurt nga terreni ishte një lehtësim dhe festë për familjen.

Ajo veçon se korriku ka një domethënie të veçantë për të dy: për babanë shënon 36 vjet nga largimi i dhunshëm prej RTP-së, ndërsa për të 27 vjet nga dita kur nisi punën si gazetare.

Në fund të mesazhit, Blerta Foniqi Kabashi i shpreh mirënjohjen babait të saj me fjalët: “Të kam pasur shembull për punë, dinjitet dhe qëndresë.” /Kosova.info/


Go to TOP