Përgënjeshtrohet Vuçiq, FSK mund të hyjë në veri me lejen e komandantit të KFOR-it

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë javën e kaluar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk mund të hyjë në veri të vendit pa lejen e kryetarëve të këtyre komunave, porse kjo nuk qëndron.

Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se vendosja e FSK-së në veri sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqim paraprak të komandantit të misionit (KFOR).

Aty theksohet se KFOR-i mund të angazhohet me përfaqësuesit legjitim të komunitetit lokal në veri të Kosovës, si pjesë e këtij procesi të bashkëveprimit.

“Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësuesit legjitim të komunitetit lokal veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të bashkëveprimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it të datës 28 dhjetor.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pati përgënjeshtruar se FSK nuk mund të hyjë në veri të vendit pa lejen e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, gjoja si pjesë e marrëveshjes së arritur për heqjen e barrikadave.

“Kemi garanci që ata jo vetëm pa lejen e NATO-s por edhe pa pëlqimin e serbëve lokalë dhe Serbisë, nuk mund të shkojnë në veri. Këtë s’e kemi pasur kurrë deri sot”, pati thënë ai.

Ndërkohë Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët.

“Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës”, deklaroi këto ditë në Berlin zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Christiane Hoffmann.

Ajo ka shtuar se dialogu duhet të vazhdojë.

“Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë është duke bërë qeveria gjermane”, ka thënë Hoffmann.

Hoffman dhe një zëdhënës tjetër i ministrisë së Jashtme nuk deshën të komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë.

Ajo tha se qeveria gjermane do të përqendrohet edhe më tej në vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve me dialog.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt” se “forcimi i trupave të NATO-s në vendin tonë do të forconte edhe sigurinë dhe paqen, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Autoritetet gjermane nuk deshën ta komentojnë këtë kërkesë. Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat se ata janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë.

Ngjarjet në veri kanë përshkallëzuar pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale që ka rezultuar me daljen e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë bashkish në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arrestimin e disa personave dhe lirimin në arrest shtëpie, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave. Por ajo që ka shqetësuar më shumti si përfaqësuesit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, rritja e shkallës së gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe të policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë për heqjen e barrikadave. Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur. Berlini tani kërkon vazhdimin e dialogut.

Go to TOP