Për të 12-tin vit me radhë, Carrabregu me aksion për dhurimin e gjakut
Për të 12-in vit me radhë, të rinjtë e Carrabregut organizuan aksion vullnetar për dhurimin e gjakut. Këtij aksioni, që organizohet në ditën e dëshmorëve të kësaj ane, iu bashkuan edhe shumë bashkatdhetarë.
“E ndjej vetën shumë krenar që kam mundësi me dhënë gjak për krejt Kosovën, për gjithë shqiptarët. Kam ardhur nga Zvicra ekstra për me dhuru gjak për ata që kanë nevojë, dhe i lus të gjithë bashkëatdhetarët që kanë mundësi me dhanë gjak”, deklaroi Agim Dautaj, dhurues.
Unë kam ardhë nga Austria me dhuru gjak me iu bashku këtij aksioni të fshatit Carrabreg. Jam në mesin e bashkatdhetarëve dhe bashkëfshatarëve të mi, jam shumë i kënaqur”, tha Ramiz Loshaj.
“Nuk është hera e parë kam dhanë edhe më herët, kështu që çdo gjë është në rregull. Ndjehem shumë mirë dhe kisha apelu edhe te të tjerët që të vijnë të dhurojnë gjak sepse me të vërtetë ia vlenë me shpëtu jetë”, u shpreh Lume Haklaj.
Organizatori Arton Loshi tha se dhurimi i gjakut po bëhet për pacientët që kanë nevojë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të gjakut.
“Është shumë e rëndësishme që ata që kanë shëndet të mirë të dhurojnë gjak sepse spitalet tona siç e dijmë kanë çdo ditë nevojë”, theksoi ai.
Ndërkohë doktori Adil Dobraj tregoi se përveç fshatit Carrabreg në aksion marrin pjesë edhe shumica e fshatrave përreth. Ai tha se janë shumë të kënaqur me përgjigjen e vullnetarëve për të dhuruar gjak.
Sipas organizatorëve, këtë vit në Carrabreg dhuruan gjak mbi 250 vullnetarë.
