Për keqpërdorim të pozitës, tre zyrtarë dënohen me 5 vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarit J.T, E.G dhe L.M-S, për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe i ka dënuar së bashku me 5 vjet burg.

“I akuzuari J.T është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite, dënim të cilin i akuzuari do të fillojë ta mbajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi; I akuzuari E.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite, dënim të cilin i akuzuari do të fillojë ta mbajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi; E akuzuara L.M-Sështë shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, dënim të cilin e akuzuara do të fillojë ta mbajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Po ashtu ky institucion të akuzuarve J.T, E.G dhe L.M-S,konform nenit 62 paragrafi 1 dhe 2 pika 2.3 dhe nenit 65 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, iu shqipton dënim plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, për tri vite, e cila ndalesë ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim”.

Sipas gjykatës, të tre zyrtarët obligohen, secili veç e veç, të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë ne emër te paushallit gjyqësor në shumë prej njëqind e pesëdhjetë (150) euro si dhe në emër të Fondit për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej pesëdhjetë (50) euro ashtu që në tërësi shumën prej dyqind (200 €) euro.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Po ashtu palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP