Peci pas intervistimit nga organet e rendit: Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i qartë për të gjithë

Ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar publikisht pas intervistimit të tij nga organet e rendit dhe drejtësisë duke falënderuar qytetarët, miqtë dhe familjarët për solidaritetin dhe përkrahjen e treguar.

Peci theksoi se është thellësisht mirënjohës ndaj 133,987 qytetarëve që i kanë dhënë besimin për të ushtruar funksionin publik duke shtuar se është i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i qartë dhe i drejtë, ashtu siç është për afro 30 mijë fermerët përfitues të subvencioneve dhe granteve bujqësore në gjithë Kosovën.

“Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim,” u shpreh ai duke nënvizuar transparencën dhe besimin në punën e tij.

Në përfundim të reagimit, ministri Peci shprehu besimin në popullin e Kosovës dhe Zotin duke thënë: “Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”. /Kosova.info/


Go to TOP