PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025. 

Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:

          1.         Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;

            2.         Hedhjen në votim të këtij Komisioni;

            3.         Vetë votimin e Komisionit;

            4.         Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit. 

Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituivin e Kuvendit. 

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

            •           Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

         •           Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

            •           Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare. 

Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën. 

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP