Paratë e dyshimta në ndërtim, FMN i kërkon qeverisë llogari dhe shtim kontrolli

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur dyshime për pastrim parash në tregun e pasurive të paluajtshme dhe i kërkon qeverisë së Shqipërisë të mbikëqyrë lejet e ndërtimit, rritjen e çmimeve dhe ndikimin që ky sektor jep në ekonomi.

Në Tiranë dhe në bregdet, çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten me 11% në vit. Lejet ndërtimore po ashtu.

Por, këto ndërtime kanë shqetësuar Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili përmes raportit të fundit monitorues për Shqipërinë kërkon shpjegim.

“Nevojitet një mbikëqyrje e shtuar e tregut. Autoritetet të tregojnë ndikimin në stabilitetin financiar”, shkruan FMN në raportin e fundit për ekonominë në Shqipëri.

Thirrja e FMN-së vjen në një kohë kur akuzat për korrupsion e pastrim parash në këtë sektor janë shtuar në politikën shqiptare.

Edhe shifrat flasin për një sektor që lulëzon përtej ofertë-kërkesës.

Këtë vit bashkitë kanë dhënë 1040 leje ndërtimi, ndërsa vitin e kaluar 665. Edhe kreditimi është rritur me të njëjtin ritëm.

Deri në shtator, bankat kanë dhënë 61,7 miliardë lekë për ndërtimin nga 50,966 miliardë lekë që ishin dhënë deri në shtator 2020.

Go to TOP