Osmani prezanton Hasanpapajn: Nga garat studentore në vizionin për Kosovën
Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë një mesazh vlerësues për Dr. sc. Bardhyl Hasanpapajn duke kujtuar rrugëtimin e tyre të përbashkët që nga koha e studimeve universitare.
Osmani ka treguar se njohja dhe bashkëpunimi i tyre nisi në vitin 2001, kur të dy përfaqësonin Universitetin e Prishtinës në garat prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë duke bartur, siç u shpreh ajo, “ëndrra të mëdha” për të ardhmen.
Ajo ka vlerësuar lart kontributin akademik dhe profesional të Hasanpapajt duke theksuar specializimin e tij në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, si dhe doktoraturën e përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali.
Sipas Osmanit, Bardhyl Hasanpapaj ka udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD duke e shndërruar dijen profesionale në kontribut konkret për sundimin e ligjit dhe zhvillimin institucional.
Ajo gjithashtu e përshkroi atë si një njeri të thjeshtë, mik të mirë dhe profesionist të përkushtuar ndaj Kosovës.
“Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen”, ka shkruar Osmani duke përfunduar me urimin: “Na priftë e mbara, Bardhyl!”. /Kosova.info/
