Doli nga shtypi monografia për shkollën “Idriz Barani” në Klinë të Epërme
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Idriz Barani” ka tashmë monografinë e saj. Autori Bali Haxhiu njoftoi se më 8 maj 2026 ka dalë nga shtypi libri i tij më i ri me titull “Shkolla Fillore e Mesme e Ulët ‘Idriz Barani’ në Klinë të Epërme -Skenderaj – Monografi”.
Në njoftimin e tij, Haxhiu falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe kontribuuesit që ndihmuan në realizimin e kësaj vepre monografike. Një falënderim të veçantë ai ia kushtoi redaktorit të librit, Fazli Hajrizi, për përkujdesjen profesionale në përpunimin gjuhësor, stilistik dhe analizën e detajuar të veprës.
Mirënjohje u shpreh edhe për Avni Spahiu, i cili ka bërë recensimin dhe vlerësimin e monografisë, si dhe për Haxhi Ademi, për kontributin shkencor dhe këshillat profesionale.
Autori falënderoi gjithashtu veteranët e arsimit Met Ahmetaj dhe Behlul Spahiu për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe shtëpinë botuese Lena Graphic dhe dizajnerin grafik Rrezart Fejzullahu për përgatitjen teknike dhe cilësinë e botimit.
Në fund, Bali Haxhiu shprehu respekt dhe mirënjohje për të gjithë lexuesit dhe adhuruesit e librit. /Kosova.info/
