Osmani në Lubjanë: Çmimin për Paqen e ndaj me gratë dhe burrat që ndërtuan Kosovën e lirë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në një ceremoni të mbajtur në Lubjanë.
Në fjalimin e saj pas pranimit të çmimit, Osmani shprehu mirënjohje në emër të popullit të Kosovës duke theksuar në veçanti rolin e grave dhe vajzave që kontribuuan në rrugën drejt paqes dhe lirisë.
“Faleminderit në emër të popullit të Kosovës e veçanërisht në emër të grave e vajzave tona të jashtëzakonshme”, tha Osmani duke theksuar se çmimi ka një domethënie të thellë për të dhe për vendin.
Presidentja u shpreh se ky vlerësim i NATO-s është një njohje për të gjithë ata që sakrifikuan për Kosovën e pavarur, të barabartë dhe demokratike.
“Është mbi të gjitha një nder i thellë ta marrë këtë çmim, të cilin e pranoj me përulësi në emër të popullit të Republikës së Kosovës. Rruga e paqes në Kosovë u arrit nga burrat dhe gratë. Ato u përballën me guxim dhe me kërkesën për barazi, në një kohë kur pak në botë e dinin se ne ekzistonim. Kështu që këtë çmim ua dedikoj atyre”, deklaroi Osmani.
Kreu i shtetit kosovar përmendi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n si garant të sigurisë dhe paqes në vend duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe barazisë gjinore si themele të demokracisë. /Kosova.info/
