Osmani në Capitol Hill: Kosova, aleat strategjik i SHBA-së kundër ndikimeve keqdashëse

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në  drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim. 

Gjatë Drekës Ndërparlamentare Ndërkombëtare, të organizuar në kuadër të Takimit Vjetor të Lutjes Kombëtare, Presidentja Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë. 

Në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare, Presidentja ishte e ftuar përkrah Mbretit dhe Mbretëreshës së Burundit, kryeministrit të Fixhit, si dhe kongresistëve amerikanë, ministrave e deputetëve të shumtë nga mbarë bota. Me këtë rast, ajo pati mundësi të diskutoj me ta për thellimin e raporteve bilaterale. 

Ndërsa në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, Presidentja Osmani u fokusua në rolin strategjik të Kosovës në luftimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke theksuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Presidentja Osmani. 

Sipas Presidentes Osmani Kosova është një aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara. 

Ndër të tjera, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe investimeve  në infrastrukturën kritike të Kosovës duke siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.


Go to TOP