Osmani e merr flamurin e përfaqësimit të vendit në ngjarje të mëdha ndërkombëtare pas mosmarrëveshjeve me Kurtin

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur këtë javë në Washington, atje ku po qëndron edhe presidentja e Kosovës e ftuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Një javë pasi u koordinua me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier për agjendën e saj ndërkombëtare, Vjosa Osmani udhëtoi për në SHBA, duke marrë kështu flamurin e përfaqësimit të vendit ndërkombëtarisht. Për këso çështjesh, ajo kishte pasur mosmarrëveshje me kryeministrin Albin Kurti, i cili së fundmi qëndroi në Izmir të Turqisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën shkoi në Washington D.C. me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ajo do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

Saktësisht një javë para se të nisej për në kryeqendrën e Amerikës, Osmani pati një takim në Presidencë me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Ndër tjerash, në komunikatën e Presidencës pas takimit, u tha se “Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të Presidentes Osmani”.

Duke e vlerësuar ftesën e Sekretarit Blinken për të shkuar në SHBA, Osmani tha se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidenca ka paralajmëruar se “Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë”.

“Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt”, u tha në komunikatë.

Me të mbërritur në Washington D.C., Osmani u takua me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, me të cilin tha se patën “diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”.

Presidentja Vjosa Osmani duket se ka marrë flamurin e përfaqësimit të vendit në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare, për të cilën gjë kishin pasur edhe mosmarrëveshje me kryeministrin Albin Kurti.

Fërkimet e para ndërmjet tyre kishin nisur pikërisht për çështjen e përfaqësimit të vendit në samitet e forumet e ndryshme ndërkombëtare.

Shkëndija e parë e prishjes së marrëdhënieve ndërmjet tyre ishte në vitin 2022. Zyra e Kryeministrit njoftonte më 18 shkurt të atij viti se shefi i Qeverisë, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të udhëtonin atë ditë për në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Po atë ditë, Presidenca njoftonte më pas se shefja e shtetit, Vjosa Osmani kishte udhëtuar për në të njëjtin destinacion dhe me të njëjtin qëllim, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë. Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit nuk përmendej presidentja dhe në njoftimin e Zyrës së Presidentes nuk përmendej kryeministri.

Ata, siç ka marrë vesh Express, kishin pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë më pas. Kësaj radhe, shkak ishte bërë diçka tjetër: Osmani ishte ndjerë e përjashtuar nga një takim i Kurtit me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Osmani në shtator të vitit të kaluar kishte shkuar në New York, ku po mbahej sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Atje ishte takuar me Këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi kishin qenë temë themelore e diskutimit. Presidentja shprehej se roli i SHBA-së “është kyç për ta përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”. Ishte takuar edhe me Zëvendës këshilltarin për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jon Finer.

Me t’u kthyer në Prishtinë, Vjosa Osmani do ta paraqiste idenë se Kosova duhej ta përgatiste së bashku me SHBA-në një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thoshte se marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishin dakorduar në shkurt dhe mars 2023 “nuk është perfekte”, por se është obligim ndërkombëtar.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, ta përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin nga Chollet dhe Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, deklaronte Osmani më 27 shtator, në një intervistë në televizionin publik (RTK).

Gabriel Escobar, si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili kishte thënë publikisht se në Washington se kanë “problem komunikimi me kryeministrin” e se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”, në mars të këtij viti e ‘shpalli’ presidenten garantuese të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Presidente Osmani, ju jeni garantuesja kryesore e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Republikës së Kosovës”, deklaronte diplomati amerikan në një konferencë të përbashkët më 21 mars, kur po qëndronte në Prishtinë në një përpjekje për t’u koordinuar me Kurtin.

Osmani në qershor e përfaqësoi vendin edhe në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën në Zvicër.

Kurti, ndërkaq, së fundmi qëndroi për disa ditë në Izmir të Turqisë, ku pati disa takime me liderë lokalë atje.

Paraprakisht, për disa ditë ishte edhe në Greqi, atje ku u kthye për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Simpoziumit Symi, nga ku avokonte për mbështetjen e të majtëve gjithandej.

Go to TOP