OPPK kundër Gjykatës Komerciale: Vendimi që urdhëron kthimin e 4.4 milionë eurove është anomali alarmante juridike
Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK) ka reaguar ashpër ndaj një aktvendimi të fundit të Gjykatës Komerciale, duke e cilësuar si një “anomali alarmante që kërcënon themelet e sigurisë juridike” në vend. Reagimi vjen pas publikimit të Aktvendimit KPPP.nr.500/2025, të datës 13 qershor 2025, që detyron përmbaruesin privat Flamur Bogaj të kthejë shumën prej 4,483,945.30 euro.
Rasti lidhet me zbatimin e një vendimi të formës së prerë të Arbitrazhit Ndërkombëtar të ICC në Londër, i cili ishte njohur dhe shpallur i ekzekutueshëm nga vetë Gjykata Komerciale. Debitori, Telekomi i Kosovës Sh.A., kishte konsumuar të gjitha mjetet juridike deri në Gjykatën Supreme, ndërsa urdhri për përmbarim ishte lënë në fuqi në të gjitha instancat.
Megjithatë, me aktvendimin e ri, gjyqtari Arben Toska ka urdhëruar përmbaruesin Bogaj të kthejë shumën e arkëtuar, pavarësisht se ajo tashmë ishte transferuar te kreditori, në përputhje me ligjin.
Sipas OPPK-së, ky vendim është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, duke e trajtuar përmbaruesin si palë në procedurë, ndonëse ai është organ përmbarues dhe nuk mban përgjegjësi për fondet që transferon ligjërisht te kreditori. OPPK paralajmëron se ky vendim krijon precedent të rrezikshëm dhe i jep legjitimitet një narrative të rreme që portretizon përmbaruesit si “plaçkitës”, siç thuhet, të nxitur nga akterë politikë dhe mediatikë.
Në përmbyllje, Bordi Ekzekutiv i OPPK-së i bën thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që të ndërhyjnë për të korrigjuar këtë që e quajnë “vendim skandaloz dhe i paprecedentë”. /Kosova.info/
