Lladrovci: Prania amerikane në Kosovë është bekim, SHBA-ja mbetet aleati më i madh i lirisë sonë
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë duke e cilësuar praninë amerikane si një bekim për shtetin dhe qytetarët e saj.
Përmes një reagimi publik, Lladrovci ka treguar një bisedë që kishte zhvilluar me një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian, i cili, sipas tij, kishte theksuar rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë.
“Ju jeni me fat për praninë amerikane në Kosovë, nuk e dini sa dhjetëra shtete do të ishin të lumtura po ta kishin vetëm një ushtar amerikan me uniformë në shtetin e tyre”, ka cituar Lladrovci fjalët e mysafirit të tij.
Ai është shprehur i habitur me qëndrimet e disa politikanëve dhe qytetarëve që, sipas tij, nuk e vlerësojnë sa duhet aleancën me SHBA-në, veçanërisht ata që kanë përjetuar periudhën e robërisë jugosllave.
Lladrovci ka thënë se e kupton gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar luftën, por jo edhe ata që kanë jetuar periudhat e vështira të Kosovës dhe që sot, sipas tij, shfaqin mungesë respekti ndaj aleatit kryesor të vendit.
“Prania amerikane në Kosovë është bekim për shtetin tonë, në veçanti për të gjithë neve që punuam dhe luftuam për lirinë e Kosovës. Amerika është më shumë se shtet, është vetë gardiani i lirisë globale”, ka deklaruar ai.
Sipas Lladrovcit, partneriteti me SHBA-në mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë, lirisë dhe orientimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
