Prof. Dr. Hivzi Muharremi shpallet “Qytetar Nderi” i Pejës në 27-vjetorin e çlirimit
Në kuadër të manifestimeve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Pejës, prof. dr. Hivzi Muharremi është nderuar me titullin më të lartë komunal, “Qytetar Nderi” i Pejës.
Ky vlerësim iu dha gjatë ceremonisë solemne të organizuar nga Komuna e Pejës, ku u ndanë tituj nderi, dekorata dhe mirënjohje për personalitete dhe institucione që kanë dhënë kontribut të veçantë për qytetin dhe shoqërinë.

Prof. dr. Hivzi Muharremi u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite në fushën e arsimit, shkencës dhe angazhimit të tij të vazhdueshëm në shërbim të interesit publik.
Gjatë ceremonisë, përfaqësues institucionalë dhe pjesëmarrës të shumtë vlerësuan lart figurën dhe veprimtarinë e tij duke theksuar ndikimin e rëndësishëm që ka pasur në edukimin e brezave të rinj dhe avancimin e dijes në vend.
Titulli “Qytetar Nderi” përbën një mirënjohje të veçantë për kontributin e tij shumëvjeçar duke e radhitur atë ndër personalitetet që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e Pejës dhe të Kosovës.
Kush është Prof. dr. Hivzi Muharremi
Prof. dr. Hivzi Muharremi ka lindur në Pejë në vitin 1948. Ai është doktor i historisë së artit, pedagog universitar, kritik arti dhe autor i dhjetëra studimeve e botimeve në fushën e arteve pamore. Ka kryer studimet universitare, magjistraturën dhe doktoratën në fushën e historisë së artit në Beograd.
Gjatë karrierës së tij ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, si dhe në institucione të tjera universitare në Kosovë dhe Shqipëri. Ka shërbyer për dy mandate si dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit dhe drejtor i Teatrit të Qytetit të Pejës për dy mandate.
Muharremi është autor i shumë librave, studimeve, eseve dhe kritikave të artit, me mbi 500 shkrime profesionale të botuara në fushën e arteve pamore. Për kontributin e tij në arsim, kulturë dhe art është nderuar me një sërë çmimesh dhe mirënjohjesh.
Kjo biografi e bën edhe më të kuptueshme arsyen pse Peja e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. /Kosova.info/
