Kosova, meshkujt, mbyll me kokën lart aventurën në kualifikueset e evropianit

Kosova, meshkujt, mbyll me kokën lart aventurën në kualifikueset e Evropianit U22, në Beach Volley

Dyshja kosovare Erion Bajrami/Ermal Maliqi është përshëndetur nga kualifikueset e Kampionatit Evropian të volejbollit në rërë për grupmoshën nën 22-vjeç, që po mbahet në Vilsingen të Holandës, pas disa paraqitjeve të forta gjatë ditës, duke regjistruar një bilanc prej dy fitoreve dhe dy humbjeve.

Në përballjen e parë kualifikuese, dyshja e drejtuar nga trajneri Fatlum Hajrizi tregoi dhëmbët duke mposhtur me përmbysje dyshen armene Asmarya, K/Nazaryan, me rezultat 2-1 (14-21, 21-13, 15-10) në sete.

Ishte një paraqitje fantastike nga “Dardanët” e rinj, të cilët – në përballjen e dytë të ditës, në kuadër të këtyre kualifikimeve – u mposhtën nga Greqia me rezultat 0-2 (9-21, 18-21) në sete, derisa kishin edhe një shans kualifikimi në vazhdim.

Në takimin e radhës, çifti Bajrami/Maliqi tregoi karakter të vërtetë fituesi, duke u këndellur nga humbja paraprake për të mundur dyshen skoceze Allan/Orr me rezultat 0-2 (6 – 21, 9 – 21) në sete, duke siguruar një përballje kundër Estonisë (Kais/Meius) në proces.

Kosovarët tentuan të bënin më shumë në këtë takim, por eventualisht pësuan humbje me rezultat 2-0 (21-13, 21-11) në sete, për t’u përshëndetur në mënyrë të dinjitetshme nga gara.

Federata e Volejbollit të Kosovës përgëzon lojtarët dhe trajnerin për shpirtin luftarak dhe garues të treguar në paraqitjet e sotme. /Kosova.info/

Go to TOP