OEK reagon për zhvillimet në Aeroportin e Vlorës: Kërkon trajtim të barabartë për investitorët nga Kosova
Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se po përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit që lidhen me aktivitetet investuese dhe projektet infrastrukturore në Republika e Shqipërisë, me theks të veçantë situatën e raportuar në Aeroporti i Vlorës.
Në reagimin e saj, OEK thekson rëndësinë e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve duke kërkuar që të gjitha palët e përfshira në projekte të trajtohen në mënyrë të drejtë, profesionale dhe në përputhje me standardet më të larta të shtetit ligjor dhe praktikave të biznesit.
Sipas OEK-së, investitorët nga Kosova dhe anëtarët e saj duhet të kenë trajtim të barabartë dhe kushte të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike, në një klimë të qëndrueshme dhe të parashikueshme biznesi, e cila konsiderohet thelbësore për forcimin e bashkëpunimit ekonomik Kosovë–Shqipëri.
Tutje, Oda vlerëson se dialogu institucional, respektimi i kontratave dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve përmes mekanizmave ligjorë janë rruga e duhur për ruajtjen e besimit të investitorëve dhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Në fund, OEK rithekson se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një interes strategjik i përbashkët, i cili duhet të ndërtohet mbi parimet e respektit të ndërsjellë, sigurisë për investime dhe funksionimit të rregullt të tregut duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në çdo proces që përmirëson klimën e biznesit dhe mbron interesat e investitorëve. /Kosova.info/
