OEK kundërshton ndërprerjen e energjisë: Vendimi i ZRrE-së dëmton bizneset, ekonominë dhe imazhin e vendit
Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike duke e cilësuar atë të jashtëligjshëm dhe me pasoja të rënda për bizneset dhe ekonominë e vendit.
Në një deklaratë për media, Oda njoftoi se ka pranuar ankesa nga kompani të ndryshme, të cilat raportojnë se ekipet e KEDS-it, të shoqëruara nga policia, kanë shkuar në objektet e tyre për të kryer shkyçje. Sipas OEK, prania e forcave të rendit në këtë proces ka krijuar një imazh tepër negativ, sidomos tek investitorët e huaj duke rrezikuar ardhjen e investimeve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese.
OEK theksoi se ndërprerja e energjisë ka prekur edhe biznese që kanë kontrata të vlefshme, si dhe kompani që nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në tregun e lirë të energjisë. Sipas saj, kjo tregon qartë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë nuk është përgatitur si duhet nga ZRrE.
“U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndalojnë menjëherë këto veprime arbitrare dhe të hapin dialog me sektorin privat, në mënyrë që kalimi në tregun e lirë të energjisë të bëhet me një tranzicion të planifikuar mirë. Bizneset përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, punësojnë 143 mijë qytetarë dhe janë kontribuuesit kryesorë të zhvillimit të vendit,” thuhet në reagim.
OEK shtoi se nga ky vendim, “të vetmit që mund të jenë gëzuar janë armiqtë e Kosovës”. /Kosova.info/
