OEAK: Kosova nuk është e përgatitur për tranzicionin e tregut të energjisë, kërkon shtyrjen e afatit për liberalizimin
Me afatin për liberalizimin e tregut të energjisë që po afrohet, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përsëritur shqetësimet e saj duke theksuar se Kosova nuk është e gatshme për një tranzicion të tillë. Ajo ka nënvizuar se, përveç mungesës së konkurrencës reale në treg, periudha e shkurtër kohore nuk u ka dhënë bizneseve mundësinë e mjaftueshme për përgatitje dhe as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse që janë të domosdoshme për të shmangur goditjet financiare dhe për të ruajtur konkurrueshmërinë.
Një shqetësim i madh është rritja e çmimit të energjisë, me disa oferta nga furnizuesit që parashikojnë një rritje mbi 200% duke rrezikuar qëndrueshmërinë e bizneseve dhe duke ndikuar negativisht në sektorët prodhues, përpunues, shërbime, tregti dhe teknologji. Kjo zhvillim është në kontrast me pritjet se liberalizimi do të sjellë ulje të çmimeve përmes konkurrencës.
Oda Ekonomike Amerikane ka argumentuar se modelimi i suksesit të liberalizimit në vende të tjera të rajonit nuk është i vlefshëm për Kosovën, pasi këto vende kanë qasje në burime alternative energjetike si gazi natyror, një mundësi që Kosova e ka humbur për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën.
Gjithashtu, Oda ka theksuar se moskonstituivi i Kuvendit të Kosovës është një arsye shtesë që Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos vazhdojë me planet për liberalizimin e tregut në këtë fazë. Oda ka bërë thirrje që afati për liberalizimin të shtyhet pas 1 qershorit 2025 dhe që të miratohet legjislacioni dytësor që do të mundësojë investime në teknologjitë e ruajtjes së energjisë dhe sisteme me efikasitet të lartë energjetik.
Përfundimisht, Oda kërkon futjen e një skeme nxitëse tatimore dhe doganore për teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturën mbështetëse duke paralajmëruar se pa këto masa, liberalizimi do të ketë më shumë pasoja negative sesa përfitime për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të Kosovës. /Kosova.info/
