Oda e Avokatëve e Kosovës: Shtatë avokatë humbin të drejtën e ushtrimit të profesionit, reagim i ashpër për gjuhën denigruese

Oda e Avokatëve e Kosovës ka njoftuar se, në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe ruajtjes së integritetit profesional, ka ndërmarrë veprime konkrete ndaj disa anëtarëve që nuk kanë përmbushur detyrimet statutare.

Sipas njoftimit zyrtar, në bazë të nenit 61 të Statutit të Odës, shtatë avokatë kanë humbur të drejtën për ushtrimin e profesionit dhe janë shlyer nga Regjistri i Avokatëve. Bëhet fjalë për Beqir Haxhimusa, Driton Dobruna, Ilmi Qorri, Lavdrim Xheladini, Nasuf Hasani, Selim Selimi dhe Xhemajli Brovina.

Nga Oda theksohet se këto vendime nuk janë diskrecionale, por rrjedhin drejtpërdrejt nga ligji dhe aktet normative në fuqi, si pasojë e mos përmbushjes së detyrimeve statutare. Sipas tyre, çdo avokat është i vetëdijshëm se shkeljet e tilla prodhojnë pasoja të menjëhershme juridike, në funksion të barazisë para rregullave dhe sigurisë juridike.

Ndërkohë, Oda ka reaguar edhe lidhur me një audioincizim të publikuar në media, ku ish-avokati Nasuf Hasani dëgjohet duke përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj stafit të institucionit. Sipas njoftimit, para ndërprerjes së statusit të tij, ndaj tij ishte në zhvillim një procedurë disiplinore për shkelje të rënda, për të cilën pritet vendim nga organet kompetente.

Oda e Avokatëve e ka cilësuar përmbajtjen e kësaj gjuhe si të papranueshme dhe jashtë çdo standardi etik e profesional duke theksuar se sjellje të tilla nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë.

Në fund, institucioni ka ritheksuar përkushtimin për zbatimin rigoroz të ligjit, trajtimin e barabartë të të gjithë anëtarëve dhe mbrojtjen pa kompromis të dinjitetit të profesionit të avokatit.

“Integriteti nuk negociohet, ai mbrohet ose humbet”, thuhet në reagimin e Odës. /Kosova.info/


Go to TOP