Nuk e hoqën nga lista e pagave mësuesin që kishte vdekur, nga 500 euro gjobë ndaj zyrtarit komunal të Shtërpcës dhe drejtorit të shkollës fillore

Të akuzuarit Sadik Ymeri dhe Shemsi Mani janë dënuar me nga 3 muaj burgim lidhur me akuzën për korrupsion. Por ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarve iu zëvendësua me gjobë në shumën 500 euro (secilit veç e veç).

Sadik Ymeri, në cilësinë e shefit në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Shtërpcës dhe Shemsi Mani, në cilësinë e drejtorit të shkollës fillore “Razim Cokli” në fshatin Brod të kësaj komune, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të premten nga kryetarja e trupit gjykues, Fitore Daci, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Gjykatësja Daci tha se sipas aktgjykimit, dënimi me nga 3 muaj burgim për Ymerin dhe Manin, me pëlqimin e të akuzuarve është zëvendësuar me gjobë në shumë prej 500 euro për secilin, e të cilën shumë të akuzuarit janë të obliguar ta paguajnë në afatin ligjor prej 30 ditëve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 20 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Paraprakisht, në këtë shqyrtim gjyqësor të akuzuarit Ymeri dhe Mani e kanë pranuar fajësinë për veprën penale që iu vihej në barrë. Por, të njëjtit në seancën fillestare të mbajtur më 18 shtator 2023, ishin deklaruar të pafajshëm rreth akuzës.

“Pas konsultave me avokatin tim, pranoj fajësinë dhe jam i vetëdijshëm që po pranoj vepër penale”, tha i akuzuari Ymeri, në seancën e së premtes.

Edhe i akuzuari Mani e pranoi fajësinë, duke thënë se qëllimi ishte i mirë por rruga e gabuar.

“E pranoj fajësinë pasi që jemi konsultu me avokaten, qëllimi ka qenë i mirë po rruga ka qenë e gabuar”, tha i akuzuari Mani.

Prokurori Rasim Maloku deklaroi se ky pranim i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetate dhe konform provave që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjithashtu, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Avni Ibrahimi dhe Filloreta Hasani, kanë mbështetur pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturve të tyre, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësja Daci.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Maloku deklaroi se Prokuroria vlerëson se veprimet e të akuzuarve kanë konsumuar elementet e veprës penale siç është cekur në aktakuzë.

“Gjykatës i propozoj që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë një sanksion penal që do të ishte adekuat me shkallën e përgjegjësisë penale me të cilën do të arrihej qëllimi i dënimit”, tha prokurori Maloku.

Mbrojtësja e të akuzuarit Ymeri, avokatja Filloreta Hasani, gjykatës i propozoi të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë. Kurse, fjalën e avokates e përkrahi edhe i akuzuari Ymeri.

“Përkrah fjalën e mbrojtëses, qëndroj pranë deklarimeve të saj, do të mundohem që në asnjë formë dhe asnjë mënyrë të mos kryej vepër penale. Shtoj se specifikat e sistemit arsimor në Shtërpcë kanë disa specifika të veçanta”, tha i akuzuari Ymeri.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mani, avokati Avni Ibrahimi tha se me rastin e shqiptimit të sanksionit penal, gjykata të marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

“Klienti im vetëm të shpallet fajtor do të arrihej mjaftueshëm qëllimi i dënimit, apo dhe dënimi me gjobë do të arrihej qëllimi i dënimit”, tha avokati Ibrahimi. Ndërsa, i mbrojturi i tij tha se e përkrah fjalën e avokatit.

Sipas aktakuzës, së përpiluar më 24 qershor 2023 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, thuhet se gjatë muajit shtator të vitit 2020 deri në muajin shkurt të vitit 2021, i pandehuri i parë, Sadik Ymeri si shef i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Shtërpcës, kurse i pandehuri i dytë Shemsi Mani, si drejtor i shkollës fillore “Razim Cokli” në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcë, në bashkëkryerje kishin keqpërdorur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë.

Në këtë aktakuzë, thuhet se ata nuk e kishin hequr nga lista e pagave për muajin dhjetor 2020, janar dhe shkurt 2021 tashmë të ndjerin mësuesin E.Sh. i cili kishte ndërruar jetë më 22 nëntor 2020, duke i mundësuar familjes së tij përfitim pasuror në shumë prej 1 mijë e 600 euro e 66 centë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtit po ashtu nuk e kishin hequr nga lista e pagave, mësimdhënësen e gjuhës angleze A.H.-L për muajt: shtator, tetor, nëntor, dhjetor 2020, janar dhe shkurt 2021, e cila nuk ishte duke punuar, mirëpo i ishin transferuar në llogarinë e saj bankare shuma prej 2 mijë e 380 euro, prej të cilës shumë kishin ndalur për vete 1 mijë e 377 euro, kurse shumën prej 563 euro ia kishte transferuar në xhirollogarinë private mësimdhënëses S.Y, kurse mësimdhënësit J.T. shumën prej 440 euro, të cilët ishin punësuar pa konkurs publik, duke iu mundësuar përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme.

Me këtë, Ymeri dhe Mani ngarkoheshin se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga nen 414, par.1 lidhur me par.3, nënpar. 3.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Go to TOP