Vajton Vuçiqi: Njohja e Kosovës nga Izraeli na ka lënduar shumë
Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit të Izraelit, për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë një kafshatë jo lehtë e kapërdishme.
Një gjë të tillë ka deklaruar vetë, Vuçiç, në një intervistë për mediumin prestigjioz izraelit, “The Jerusalem Post”.
Njohja e fundit e shtetësisë së Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si derivat i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Uashington nën patronazhin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Por, për Vuçiç ndërrimi i pozicionit të Izraelit në raport me Kosovën ka qenë një gjë që ka lënduar shumë Beogradin zyrtar.
“Ne e bëmë të pamundurën për ta kapërcyer atë situatë. Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të rindërtojmë marrëdhëniet tona me mirëbesim dhe se do të jemi në gjendje të krijojmë besim të vërtet midis dy kombeve”, ka thënë Vuçiç për “Jerusalem Post”.
Më tej Vuçiç, ka folur edhe për situatën e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se Serbia gjithë në këtë mes është pala konstruktive, e cila punon për paqen.
“Ne po përpiqemi të të arritur një lloj zgjidhjeje kompromentuese, e cila nuk është aspak e lehtë, siç e dini. Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të bëjmë diçka në vitet në vijim, por nuk jam gjithmonë një politikan optimist”, ka shtuar ai.
