Njjë marrëveshje, paralajmërime për investime dhe vërejtje, çfarë mori Kosova nga vizita e Cavusoglut

Kryediplomati i Turqisë, Mevlut Cavusoglu e mbylli të dielën në Kosovë vizitën e tij në Ballkan. Në Prishtinë, ai nënshkroi një marrëveshje me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun dhe paralajmëroi disa investime në vend. Por ai pati edhe vërejtje dhe përmendi një gjë si “problemin më të madh” në raportet mes Kosovës dhe Turqisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla doli në konferencë për media me homologun e saj turk pas takimit që e patën në MPJD paraditen e së dielës dhe njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshjeje për rritjen e frekuencës së fluturimeve mes dy vendeve.

Ministri Liburn Aliu më vonë dha detaje për marrëveshjen që tha se do ta rrisë numrin e fluturimeve nga Kosova në Turqi dhe anasjelltas. Po ashtu, kjo marrëveshje sipas Aliut do t’i ulë edhe çmimet e udhëtimeve për pasagjerët kosovarë.

“Sapo nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit me ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Turqisë, z. Mevlüt Çavusoglu. Përmes kësaj marrëveshje tanimë kemi rritur numrin e fluturimeve nga njëzet e tetë (28) fluturime në javë, në dyzet e dy (42) sosh ✈️, e që do të rezultojë edhe me uljen e çmimeve të udhëtimeve të pasagjerëve tanë. Kjo marrëveshje i kontribuon zhvillimit të mëtejshëm të transportit ajror në përgjithësi, përkitazi zhvillimit të vëllimit të trafikut ajror në mes të dy Republikave”, shkroi Aliu.

Go to TOP