Një vit me Ligjin e ri për Trafikun Rrugor, bie numri i aksidenteve
Gjatë vitit 2024, sipas Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në trafikun rrugor, atyre me pasoja fatale, me lëndime dhe dëme materiale ka pësuar rënie krahasuar me vitin paraprak.
Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të ligjit për rregullat e trafikut rrugor, policia thotë se ka shënuar rritje të numrit të tiketave të shqiptuara.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, vlerëson se as përmes këtij ligji nuk është ulur numri i aksidenteve.
“Ne nuk kemi pasur problem me shqiptimin e gjobave dhe as me çmimin e tyre, por me vetëdijesimin e qytetarëve që të mos shkelin rendin dhe ligjin. Ky është një problem që Konventa e Vjenës e ka bërë ndryshe, ka aftësuar qytetarët nga niveli parashkollor deri në nivelin parauniversitar, duke shtrënguar masat për pajisjen e qytetarëve me patent-shofer. E kjo me qëllim që qytetarët të jenë më të vëmendshëm në nivelin kombëtar”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
Policia ka njoftuar se nga 3 prilli gjobat e trafikut do të dërgohen në adresë të pronarëve të automjeteve për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve.
Pavarësisht sfidave në trafikun rrugor, Policia ka thënë se kanë arritur të reduktojnë aksidentet në përgjithësi duke i mbajtur përgjegjës kundërvajtësit për shkeljen e ligjit përmes masave ndëshkuese.
