“Një Plagë që Nuk Harrohet” – Topalli nderon familjen Mirena në 26-vjetorin e masakrës

Në 26-vjetorin e masakrës së familjes Mirena në Fushë Kosovë, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli, ka përkujtuar me dhimbje dhe nderim të thellë 16 anëtarët e kësaj familjeje që u vranë mizorisht nga forcat paramilitare serbe.

Topalli vendosi një buqetë me lule pranë pllakës përkujtimore duke u përkulur me respekt para emrave të gdhendur në gur – dëshmi e një tragjedie që ai e quajti “një plagë që nuk shërohet kurrë”. Ai theksoi se këta burra nuk ishin vetëm emra, por bij, baballarë, vëllezër, njerëz që rrihnin për jetën dhe tokën e tyre.

“U deshën pak minuta që një degë e tërë familjare të fshihej nga kjo botë, por do të duhen jetë të tëra për ta harruar – nëse ndonjëherë harresa është e mundur”, tha Topalli duke e cilësuar dhimbjen e familjes Mirena si dhimbjen e çdo familjeje shqiptare që përjetoi luftën.

Ai përsëriti premtimin për të mos lejuar që kujtimi i tyre të shuhet duke e cilësuar atë si një zë që thërret për drejtësi, për paqe dhe për jetë me dinjitet.

“Sot, ndërsa përkulesha përpara kujtimit të tyre, e ndjeva atë forcë – në heshtjen e tokës – në rrënjët e kësaj toke që e deshën aq shumë”, përmbylli Topalli duke shtuar se emrat e familjes Mirena janë faqe historie që do t’u përcillen brezave.

Lavdi përjetë familjes Mirena! /Kosova.info/


Go to TOP