OEK: Të ndalen sulmet ndaj afaristëve dhe bizneseve vendore – zhvillimi ekonomik është patriotizëm
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ajo, sulmeve të vazhdueshme nga eksponentë të Qeverisë në largim dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kundër afaristëve dhe bizneseve vendore duke theksuar se këto veprime dëmtojnë integritetin personal dhe profesional të bizneseve dhe ndikojnë negativisht në prodhimin vendor.
Në fokus të reagimit është rasti i fundit që përfshin afaristin Shkëlqim Devolli, të cilin OEK e quan një sulm të orkestruar nga zyrtarë të koalicionit qeverisës dhe militantët e tyre. Sipas Odës, pavarësisht regjistrimeve të ndryshme administrative në shtete të ndryshme për vendlindjen e kosovarëve, kjo nuk duhet të shfrytëzohet për linçim publik të qytetarëve që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
“Kompanitë Devolli janë ndër më të mëdhatë dhe më kontribuueset për ekonominë e vendit, me qindra miliona euro të paguara në tatime dhe mijëra vende pune të krijuara,” thuhet në reagim. OEK vlerëson se pavarësisht ofertave nga shtete të rajonit për të zhvendosur aktivitetin, Devolli ka zgjedhur të qëndrojë dhe të kontribuojë në Kosovë.
Oda shton se në kohën e sotme, patriotizmi më i madh është zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi i shtetit nëpërmjet mbështetjes së bizneseve. “Biznesi duhet të trajtohet si një shtyllë e shtetit, jo si pengesë,” përfundon reagimi duke kërkuar që të ndalen menjëherë sulmet ndaj afaristëve dhe të ndërtohet një partneritet i sinqertë mes institucioneve dhe sektorit privat. /Kosova.info/
