Ngrihet aktakuzë ndaj të pandehurit që tentoi t’i privojë nga jeta 4 persona në një lokal në Deçan
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Ismet Zukajt, i pandehuri i cili tentoi të privoi nga jeta katër persona në janar të këtij viti.
Ai ngarkohet për dy vepra penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit, i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se me përdorimin e një arme zjarri ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona. Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.”, thuhet në njoftim.
Aktakuza, sipas njoftimit, gjithashtu ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët.
Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion.
“Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri I.Z të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.”, thuhet në njoftim.
