Nga janari në Kosovë janë raportuar 1109 raste të dhunës në familje

Nga muaji janar e deri më tani në Kosovë janë raportuar 1109 raste të dhunës në familje.

Kështu bëri të ditur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit, pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ngriti si shqetësim rritjen e rasteve të dhunës në familje dhe ngacmimeve seksuale.

Ajo e pyeti Haxhiun se çka është duke bërë ministria në këtë drejtim dhe i kërkoi që të ofrojë të dhëna të sakta të numrit të rasteve që janë raportuar gjatë vitit 2022.

E në replikën e saj, ministrja Haxhiu tha se ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Para deputetëve, ajo bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë që raste të tilla të mos neglizhohen.

“Vetëm prej janarit e deri tani raste të dhunës në familje të cilat janë raportuar janë 1109 pra vetëm brenda kësaj periudhe, por shqetësimi kryesor i imi lidhet me atë që ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen”.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje, po ashtu dhe ndërmarrjen e veprimeve nga institucionet e sigurisë por edhe drejtësisë për këto raste, Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe me gjykatat në mënyrë që rastet e tilla të mos neglizhohen”, u shpreh Haxhiu.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

Go to TOP