Nesër mësohet gjysmëfinalisti i fundit i “Play Off-it” në elitën e basketbollit

Të enjten përcaktohet gjysmëfinalisti i fundit i “Play Off-it” në Superligën e Kosovës në basketboll.

Sigal Prishtina e Vëllaznimi do të luajnë ndaj njëra tjetrës në kryeqytet.

Rezultati i kësaj serie çerekfinale aktualisht është 1:1, e kush fiton kalon në gjysmëfinale.

Bardh e kaltrit e kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 72:64, derisa gjakovarët të dytin 66:65.

Përballja mes Sigal Prishtinës e Vëllaznimit zhvillohet të enjten nga ora 20:00.

Fituesi i këtij takimi, në gjysmëfinale takohet me Trepçën, e cila ishte e para në stinorin e rregullt dhe starton direkt në gjysmëfinale. Ndeshja e parë është në fundjavë në Mitrovicë.

Në gjysmëfinalen tjetër përballen Peja e Golden Eagle Ylli. Peja, si e dyta, po ashtu është kualifikuar direkt në gjysmëfinale.

Ndërkohë Ylli dominoi në dy ndeshjet çerekfinale ndaj Bashkimit dhe kaloi tutje. Ndeshja e parë Peja – Golden Eagle Ylli është caktuar për të shtunën në “Karagaçi”.

Go to TOP