“Nëse Kurti s’ka interes për marrëveshje me Serbinë kjo qeveri s’do të mbijetojë”

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se është bërë e qartë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të varet vetëm nga vullneti i politikanëve në të dyja këto vende.

“Nuk mund t’ia pranojmë vetvetes se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të varet vetëm nga këto dy shtete, nga vullneti i politikanëve në këto dy vende, sepse tanimë kjo është e tejkaluar. Këto lëvizje që kemi parë, sidomos nga SHBA-të, e tregojnë një mesazh të qartë se zvarritjet e tilla nuk do të tolerohen. Nëse ky dialog është deklaruar të jetë i interesit strategjik të BE-së dhe Washingtonit nuk po besoj që politikanët në Prishtinë e Beograd e kanë luksin që me manovra të brendshme ta pengojnë, ta shtyjnë dhe ta mbajnë status-quon, sepse nuk është më interes vetëm i Kosovës dhe Serbisë. Kjo është bërë e qartë dhe besoj se kjo do të bëhet e qartë edhe sonte nga presidenti Emmanuel Macron në takimin me Albin Kurtin”.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se nëse Albin Kurti nuk do të tregojë interes për një marrëveshje finale me Serbinë kjo qeveri nuk do të jetë jetëgjatë – ashtu si ato parapraket.

“Në katër-pesë vjetët e fundit nuk po e shoh dëshirën për ta arritur një marrëveshje. Edhe te Albin Kurti nuk po i shoh shenjat që është i interesuar që të arrijë marrëveshje. Nuk e kam parë as në dy-tri qeveritë e fundit të cilat kanë rënë për shkak të dialogut, dhe nëse vazhdohet me ritëm të tillë edhe këtë qeveri nuk po e shoh si do të mbijetojë”.

“Ne duhet të pajtohemi me faktin se jemi shtet i vogël që mund të mbijetojë vetëm në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Ne nuk mund të izolohemi dhe të jetojmë totalisht të izoluar pa partneritet qoftë me Washingtonin ose BE-në”.

Go to TOP