Nënshkruhet Memorandumi mes Caritas Kosova dhe CIVIKOS për përfshirje më të madhe sociale

Caritas Kosova dhe CIVIKOS Platforma kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me synim forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe rritjen e përfshirjes sociale në vend.

Marrëveshja u firmos nga drejtori ekzekutiv i Caritas Kosova, Alfred Pjetri, dhe drejtori ekzekutiv i CIVIKOS, Dardan Kryeziu, në kuadër të projekteve ACTIVE 2 dhe CORDIAL.

Sipas palëve, partneriteti synon të avancojë përfshirjen sociale dhe ekonomike, me fokus të veçantë te personat me aftësi të kufizuara dhe grupet e margjinalizuara. Po ashtu, marrëveshja parashikon fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike për të rritur pjesëmarrjen në politikëbërje dhe vendimmarrje.

Në fokus të bashkëpunimit do të jenë zhvillimi i strategjive të përbashkëta për avokim, promovimi i komunikimit të qasshëm përmes standardeve “Easy to Read” dhe “Plain Language”, si dhe organizimi i trajnimeve dhe shkëmbimeve të praktikave në nivel rajonal.

Palët theksojnë se marrëveshja përfshin edhe mbështetjen e fushatave ndërgjegjësuese dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm, si qendra kompetence dhe rrjete qytetare.

Ky bashkëpunim shihet si hap drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke forcuar lidhjen mes institucioneve publike dhe sektorit civil në Kosovë./Kosova.info/

Go to TOP