Nënshkruhet deklarata për projektin e varrezave të Kryeqytetit, Rama e quan hap historik për Prishtinën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se është nënshkruar Deklarata e Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit, një hap i rëndësishëm drejt rregullimit dhe zhvillimit të kësaj hapësire si pronë publike në shërbim të të gjithë qytetarëve, shkruan Kosova.info.
Sipas Ramës, prej disa muajsh Kryeqyteti ka zhvilluar një proces të strukturuar pune dhe koordinimi me të gjitha komunitetet fetare në Prishtinë, me synimin krijimin e një modeli të ri, të barabartë dhe institucional për organizimin e shërbimeve të varrimit.
Deklarata u nënshkrua nga Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Agim Qerkini, famullitar në Famullinë e Prishtinës, si dhe Driton Krasniqi, pastor i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.
Dokumenti parashikon që varrezat të funksionojnë si hapësirë publike për të gjithë banorët dhe rezidentët e Prishtinës, të respektohen ritet dhe praktikat fetare sipas traditave përkatëse, si dhe të sigurohet administrim profesional dhe institucional, në përputhje me standardet e dinjitetit dhe respektit publik.
Rama theksoi se i gjithë procesi është zhvilluar përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit konstruktiv dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, duke reflektuar frymën e bashkëjetesës dhe respektit që e karakterizon Kryeqytetin. Ai u shpreh mirënjohës për kontributin dhe gatishmërinë e komuniteteve fetare për të ndërtuar një zgjidhje të përbashkët dhe afatgjatë për këtë çështje./Kosova.info/
