Në vendin tonë është ndalur jeta

Shkruan: Bajram MJEKU

Zakonisht zgjohem në orën 6:00 të mëngjesit. Para se të nisem në punë, mjaftueshëm kam kohë për kafenë e mëngjesit, por edhe për një procesion meditimi, para se të nisë ditën e zakonshme.

Viteve të fundit, kur kam hetuar se jeta e njëtrajtshme më është mërzitur, kam marrë pushim për t’i rinisur vullnetshëm ditët që vijnë! Në mëngjeset e kësaj jave, zakonisht kafenë e mëngjesit e kam pirë në tarracën e banesës dhe pashë që ky vit është edhe më i rëndë se vitet e kaluara, pasi në Prishtinë njëfarësoj është ndalur jeta. Në një ditë të zakonshme pune, ku lëvizja e njerëzve është shumë e vogël, lë të kuptosh se derisa në kryeqytetin e Kosovës lëvizja e qytetarëve lë shumë për të dëshiruar, mund të imagjinojmë se çfarë ndodh në qytetet tjera të Kosovës, apo në fshatrat e saj ku braktisja e njerëzve nga këto mjedise është tunduese.

Njerëz të mirë, në Kosovë thjeshtë është ndalur jeta…

Brezi im mund të kujtoj se kur ishim studentë në vitet tetëdhjetë, në Prishtinë më shumë kishte gjallëri dhe lëvizje të qytetarëve atëherë pas mesnatës, se viteve të fundit në mesditë! Kishim edhe motive më shumë, edhe synime më shumë, edhe qëllime më shumë, edhe kreativitet më shumë, përmes së cilave ndërtonim të ardhmen edhe nën regjim të huaj.

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës, bën sprovën e tyre të gjashtë për të zgjedhur një kryeparlamentar, i cili as më shumë e as më pak ka rolin e një ciceroni, si në një muze të braktisur të një qyteti të humbur. Kryeparlamentari nuk u zgjodh e zor që do të zgjidhet ditëve që vijnë, por kryesorja është se deputetëve të popullit nuk u bëhet vonë për asgjë, pasi fundja deputetët e legjislaturave të fundit, as kishin ide, as vizione për zhvillimin e vendit, sepse ky ishte vullneti i sovranit!

Në vendin tonë është ndalur jeta dhe është topitur truri. Është rritur varfëria dhe është fryrë papunësia. Ka rënë motivi për t’u zhvilluar, derisa lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar. Thjeshtë, në vendin tonë dinjiteti është zëvendësuar me fodullëk, nderi me pandershmëri, vlera me jovlerë, profesionalizmi me analfabetë funksional dhe besnikëria me tradhti.

Populli i një vendi, i cili mburret me histori mijëvjeçare dhe gjatë gjithë ekzistencës së tij, nuk mund të kujtoj qoftë edhe një revolucion të organizuar së paku një herë, është për t’u studiuar. Pse jo, derisa vendi më i varfër në Kontinentin e Vjetër lëre që i është ndalur jeta, por e zë vendin e parë me popullin më të lumtur në rajon!


Go to TOP