Në Strellc vullnetarët dhurojnë gjak, kujtojnë të rënët për liri
Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, në sheshin “Ismet Ukaj” në Strellc të Deçanit, mbi 150 vullnetarë dhuruan gjak, si akt simbolik nderimi për veprën e dëshmorëve. Organizatorët thanë se interesimi për këtë aksion po rritet çdo vit.
Në sheshin “Ismet Ukaj” në Strellc të Deçanit mbi 100 vullnetarë dhuruan gjak. Aksioni për dhurimin e gjakut po bëhet në ditën e dëshmorëve të kombit dhe në nderim të veprës së tyre heroike, thanë organizatorët dhe dhuruesit e gjakut.
“Kur kemi filluar para pesë viteve interesimi për dhurimin e gjakut ka qenë më i vogël kurse tani është rritur kështu që sot presim që të dhurojnë gjak rreth 150 vullnetarë”, theksoi Vatan Istrefaj, organizator.
Deputeti Armend Zemaj, tha së është një moment dhe emocion i veçantë që na kujton ditën e parë të luftimeve frontale në Strellc të epërm por edhe kujtimi për gjithë dëshmorët dhe heronjtë që kanë dhanë jetën për liri dhe pavarësi.
Shkodran Istrefaj theksoi se dhurimin e gjakut e bëjnë vazhdimisht.
“Është aksioni për dhurimin e gjakut në nder të dëshmorëve të fshatit Strellc, këtë e bëjmë vazhdimisht edhe i përshëndes të gjithë ata që kanë marr pjesë”, tha ai.
Arsim Qerimaj, theksoi se me vullnet të madh jep gjak për të gjithë ata që kanë nevojë.
Organizatorët thanë se aksioni për dhurimin e gjakut në këtë lokalitet do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
