Në Shqipëri po ndodh rënia e maskave” pluraliste”

Shkruan: Fadil MALOKU

1. Partitë politike shqiptare, gjatë gjitha këto tri dekadave nuk arritën assesi të instalojnë, e aq më pak të ndërtojnë si pluralizmin demokratik ashtu edhe sundimin e ligjeve demokratike? Partitë politike shqiptare, gjatë gjithë këtyre tri dekadave në liri, vetëm improvizuan kinse ndërtimin dhe instalimin e pluralizmit dhe sundimit të ligjeve demokratike në Shqipëri.

2. Partitë politike shqiptare, përkundër pamundësisë së instalimit dhe kultivimit të ideve dhe koncepteve pluraliste dhe sundimit të ligjit, arritën me mjaft sukses të instalojnë; krimin e organizuar, korrupsionin e etatizuar, nepotizmin tribal, kapitalizmin grabitqar, pushtetin e oligarkisë mafioze, etj.! Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare, shkaku i mungesës së sensit e në veçanti vullnetit për ta ndërtuar dhe instaluar pluralizmin e njëmendët, ka bërë që qytetaria të frustrohet skajshmërish dhe ta vuaj këtë devijim, poshtërim dhe gjithë këtë keqkuptim të demokracisë që ia servuan partitë politike aktuale.

3. Partitë politike shqiptare, në mungesë të mekanizmit të kontrollit social mbi pushtetëmbajtësit e tyre, lejuan dhe vazhduan të inaugurojnë pa ndalur (madje edhe qëllimisht!) në Shqipëri improvizimin e mekanizmit të kontrollit sociopolitik. Mekanizëm ky që nuk e lejon assesi as “pronësimin” e as privatizimin e shtetit nga ana e grupeve dhe klaneve të ndryshme mafioze e kriminale partiake, nga cilado ideologji apo parti qofshin ato. Sot, po edhe në ditët e javët e kaluara, ajo çfarë ndodhi me “PD-Bastiljen” e demokratëve djathtist, dëshmuan se, përvoja irracionale që i prodhoj improvizimi i pluralizmit politik (marrëveshje xhentëlmenë për “shkurorëzim”, konsensus midis fraksioneve, pajtim midis klaneve, miratim dhe aprovim paqësor, etj.) shqiptar, e ka shumë të vështirë që të etablohet në sistemin e vlerave të njëmendët demokratike! Tani, nëse këto klane e grupime antishqiptare (për mua) do vazhdojnë edhe më tej ta (keq)përdorin këtë “përvojë” të hidhur, irracionale e padyshim edhe shkatërrimtare për institucionet vendore shtetërore, atëherë, është qytetaria ajo “adresa” legjendare e cila duhet të dal në skenë politike shqiptare. Dhe ashtu sikurse në vitet 90-ta, nuk duhet të lejoj kolapsimin e Shqipërisë…Shqipëria, sot de facto dhe de jure po paguan tagrin e mungesës së pluralizmit demokratik, i cili gjatë gjithë këtyre tri dekadave vetëm u improvizua e u inskenua në skenën politike shqiptare. Shqipërisë, tani e tutje i nevojitet një lloj deliberalizimi politik, pra, një ripluralizëm i gjithmbarshëm; politik, social e kulturor…

Go to TOP