Në rrezik të vazhdueshëm: Jeta e ukrainasve pranë frontit të luftës

Banorët e Nju-Jorkut, në lindje të Ukrainës, përshkruajnë jetën e tyre në qytezën që ndodhet pranë frontit të luftës.

Matvey, 17-vjeçar

Fabrika e fenolit këtu kishte një klient të madh në Krime. Kur Rusia e aneksoi gadishullin, ekonomia e Nju-Jorkut u godit rëndë. Tani, uzina punon me një shkallë të reduktuar, dhe të gjesh punë është gjëja më e vështirë në qytezë.

Unë isha shumë i ri kur filloi konflikti, prandaj nuk mbaj mend shumë se si ishte jeta më parë. Është e vështirë të imagjinosh që mund të mësohesh të jetosh me luftën, por kjo është ajo që ka ndodhur këtu.

Një burrë duke shtyrë biçikletën e tij në një shteg kodrinor, mbi Nju-Jorkun. Dritat në prapavijë janë nga Horlivka, një qytezë e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Kremlini. Fabrika e fenolit e Nju-Jorkut shihet majtas.
Një burrë duke shtyrë biçikletën e tij në një shteg kodrinor, mbi Nju-Jorkun. Dritat në prapavijë janë nga Horlivka, një qytezë e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Kremlini. Fabrika e fenolit e Nju-Jorkut shihet majtas.

Momenti më i frikshëm ishte kur mortajat goditën rrugën time. Dëgjova krismën e mortajave, por ajo tingëlloi sikurse ky bombardim që mund ta dëgjoni tani. Më pas, rreth pesë sekonda më vonë, predhat filluan të shpërthejnë gjithandej. Dritat regëtinin, gjithçka dridhej, ndërsa nëna ime dhe motra ime qanin. Babai im ishte në punë atë ditë. Mortajat goditën shtëpinë e gjyshes sime, dhe i thyen dritaret, ndërsa një fqinj u vra. Ai po qëndronte jashtë, në oborr, dhe filloi të vraponte drejt shtëpisë, por një mortajë e bëri copash.

Unë synoj të shkoj në Karkiv për ta kryer shkollimin e lartë, e më pas dua të kthehem këtu, për të ndihmuar në zhvillimin e qytezës. Unë e dua këtë rajon, dhe dua ta bëj më të mirë. E di se politika është biznes i pistë, por është edhe njëra ndër arsyet pse unë dua të përfshihem – që të sjell ndryshim. Do të ketë figura të këqija që do të duan të më ndalin, por unë jam i gatshëm.

Kristyna, 28-vjeçare

Në shtator, separatistët sulmuan qytezën nëpërmjet një droni. Unë isha duke ndenjur në shtëpi dhe dëgjova një zhurmë në qiell. Nuk i kushtova shumë vëmendje fillimisht, sepse shpesh fluturojnë dronë këndej, por ishte një zhurmë e re, shumë e madhe. Më pas, një ushtarake erdhi në sallonin e bukurisë, ku unë punoja, dhe na tha se një oktokopter kishte lëshuar një bombë.

Lufta ka ndikuar, ndër të tjera, që të ketë më shumë kafshë në fshat, sepse gjuetia me armë është e ndaluar në rajon. Në këtë park, ku po qëndrojmë, mund të shihni lepuj dhe ketra duke u endur, ndërsa në pyjet pranë fshatit mund të shihni edhe drerë. Disa prej pyjeve janë të pakalueshëm, për shkak të kurtheve, por të tjerët janë të sigurt.

Herë pas here, separatistët e mbështetur nga Rusia përdorin pajisje për prishje të valëve, për t’i penguar komunikimet e ushtrisë ukrainase. Ato ndikojnë edhe te telefonat celularë të njerëzve këtu, dhe nganjëherë as nuk mund t’iu dërgosh mesazhe, e as t’i thërrasësh njerëzit, pavarësisht se telefoni të thotë se je e lidhur plotësisht.

Një statujë e kohës sovjetike në qendër të Nju-Jorkut: një vajzë duke i lexuar një ariu lodër.
Një statujë e kohës sovjetike në qendër të Nju-Jorkut: një vajzë duke i lexuar një ariu lodër.

Në ditët e hershme të luftës, ishte shumë e vështirë të lëvizje nëpër vend. Unë studioja në Horlivka, e cila tani është në kontrollin e separatistëve. Kur udhëtoja me autobus, kishte pika kontrolli që nganjëherë menaxhoheshin nga burra të dehur, gjysmë të zhveshur, barkmëdhenj. Ata ndalonin automjetet me okllai, të ngjyrosura për t’i ngjasuar shkopinjve të policisë së trafikut. Ishte një periudhë shumë kaotike.

Tani, disa njerëz janë të shqetësuar nga zërat për pushtim, dhe po grumbullojnë rezerva të miellit, bukës dhe mishit të konservuar. Unë tash për tash mendoj se është vetëm (presidenti rus, Vladimir) Putin që po luan lojëra, në përpjekje për të siguruar lëshime.

Oleg, 53-vjeçar

Kush do të na sulmojë? Askujt nuk i duhet Ukraina.

Vëllai im jeton në Donetsk, dhe tani, për shkak të luftës, ne nuk mund të takohemi. Të gjithë po largohen nga kjo qytezë. Çfarë ka këtu për të rinjtë? Të gjitha kafenetë janë të mbyllura. Këtu ishte një kafene, atje një tjetër – të gjitha të mbyllura. Unë dikur punoja në një minierë këtu pranë, por u lëndova në punë dhe humba shikimin me njërin sy. Tani marr një pension, por janë vetëm 3,000 hrivnia (111 dollarë) në muaj. Na kanë thënë se do të na japin edhe 80 hrivnia shtesë. Ku mjaftojnë këto? Një bukë kushton 23 hrivnia!

Ushtarët e stacionuar këtu nuk lejohen të blejnë alkool, prandaj, nganjëherë, ata iu japin atyre ca para më shumë që t’iu blejnë.

Një mural afër Nju-Jorkut, që i është dedikuar minatorëve, me mbishkrimin: “Ne sigurojmë ngrohtësi dhe dritë për popullin!”
Një mural afër Nju-Jorkut, që i është dedikuar minatorëve, me mbishkrimin: “Ne sigurojmë ngrohtësi dhe dritë për popullin!”

Në ditët e hershme të konfliktit, kisha një incident ku shpëtova për pak, po punoja në minierë, ku unë dhe një punëtor i ri po ecnin jashtë dhe po pinim cigare. Një predhë goditi pranë derës, dhe copat e xhamit u shpërndanë. Po të kishim dalë për të tymosur pak sekonda më herët, nuk do të kishim shpëtuar. Kam dëgjuar për një grua të moshuar këtu, e cila ishte duke mbledhur bimë mjekësore në oborrin e saj. Një predhë qorre kishte ardhur befas, e kishte goditur mu në kokë, dhe e kishte vrarë atë pa shpërthyer.

Ky qytet fillimisht ishte quajtur Nju-Jork, më pas ia kanë ndryshuar emrin, e tash e kanë kthyer përsëri emrin Nju-Jork, dhe për çfarë? Asgjë nuk ka ndryshuar, ne ende bredhim, pimë samagon. Kemi menduar se ndoshta (presidenti amerikan, Joe) Biden mund të na ndihmojë, por askujt s’i intereson për neve.

Go to TOP