Në Kamenicë përurohet “Dhoma Mike” për viktimat e dhunës në familje, donacion nga KFOR-i
Në ambientet e Stacionit Policor në Kamenicë, është përuruar “Dhoma Mike”, një investim i rëndësishëm i realizuar me mbështetjen e misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kolonel Agron Rukiqi, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, dhe Nënkolonel Evan Hessel, Zëvendës Komandant për Lindjen i KFOR-it, bashkë me stafin e tyre.
Kjo dhomë është krijuar për të ofruar strehim të përkohshëm për viktimat e dhunës në familje duke garantuar një ambient të sigurt, të rehatshëm dhe të denjë për rikuperim fizik dhe emocional.
Investimi përfshiu renovimin e plotë të hapësirës, furnizimin me mobilie të reja, pajisje teknologjike të nevojshme dhe krijimin e një mjedisi që ndihmon mbështetjen psikologjike të viktimave.
Kolonel Rukiqi falënderoi misionin e KFOR-it për kontributin e tyre të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje duke theksuar se investime të tilla forcojnë më tej bashkëpunimin dhe ndikojnë në ndërtimin e një sistemi më të fortë të mbrojtjes dhe përkujdesjes në komunitet. /Kosova.info/
