Në gusht vazhdojnë punimet për unazën e brendshme të kryeqytetit

Mjete pune ka ende, por punë ka kohë që s’po kryhet. Në rrugën “Tirana” po implementohen dy projekte, ai i unazës qendër me vazhdimin e urës në drejtim të lagjes Arbëria, si dhe zgjerimi i udhës.

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, pohoi se faza e parë është dërguar në tenderim pasi kontrata është modifikuar në 100% dhe projektimi ishte i vitit 2016.

“Është dashur t’i zhvendosim një pjesë të madhe të varrezave sepse pjesa e shputës në pjesën e poshtme të murit ka qenë afërsisht 5 metra, kjo i ka penguar punimet. Kemi vendosur të mos hyjmë në pjesën e varrezave, kështu që kemi shkuar me një modifikim, me një sistem të pilotimit dhe e kemi ngritur urën kështu që nuk preket parcela e varrezave”, u shpreh Xhaferi, raporton Ju Flet Prishtina.

Ai deklaroi se gjatë kësaj jave projekti do të përcillet në prokurim për tenderim dhe punët pritet të nisin në muajin gusht. Derisa tregoi se gjatë riprojektimit është shtuar edhe lidhja e urës me rrugën e Mitrovicës.

“Për ata që duan të shkojnë në Mitrovicë, nuk do të ketë vetëm hyrje në rreth, por edhe në komunikim nga Mitrovica, e edhe në pjesën e poshtme të urës në drejtim të Fushë-Kosovës”, tha tutje drejtori.

Kurse në pjesën e dytë të punimeve është ndryshuar 30% e kontratës dhe sipas ligjit mund të riplanifikohen vetëm 10%, kështu pritet të ketë vendim nëse duhet të shkojë në tenderim edhe kjo pjesë.

Vazhdimi i urës pritet të kushtojë 1,3 milion euro, me 700,000 euro dallim me projektin e vjetër, kurse pjesa tjetër do të kushtojë mbi 300.000 euro.

Go to TOP