Në Drenas përurohet kompleti i romaneve për fëmijë i Rifat Kukaj

Në Drenas është mbajtur përurimi i kompletit të romaneve për fëmijë dhe të rinj të shkrimtarit të njohur Rifat Kukaj, në një aktivitet që mblodhi figura të artit dhe kulturës nga disa qytete të Kosovës.

Ngjarja u organizua nga Art Club “Rifat Kukaj” dhe u zhvillua në bibliotekën e Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, në praninë e pjesëmarrësve nga Drenasi, Prishtina, Vushtrria, Klina, Skënderaj dhe Lipjani.

Përurimi nisi me leximin e poezisë “Fëmijën mos e qortoni” nga nxënësja Medina Qallapeku, nën përkujdesjen e arsimtares Hava Beqiri Mulaj. Më pas, për jetën dhe veprën e shkrimtarit foli kryetari i Art Club-it, Izet Abdyli.

Lidhur me botimin e kompletit të romaneve foli editori i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, Nazmi Rrahmani, ndërsa për vlerat letrare të krijimtarisë së Kukajt u shpreh studiuesi Anton N. Berisha, i cili ishte kujdesur edhe për përgatitjen e botimit.

Studiuesi i letërsisë Sinan Gashi ndau kujtime nga takimet me shkrimtarin, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe Migjen Kukaj, djali i autorit, i cili falënderoi Ministrinë e Kulturës për mbështetjen financiare të këtij projekti.

Gjatë aktivitetit u lexuan edhe fragmente nga romanet, ndërsa në përmbyllje poeti Izjah Qelaj evokoi kujtime nga takimet me Rifat Kukaj. /Kosova.info/

Go to TOP