Navalny mungon në seancën dëgjimore, teksa shqetësimet për vendndodhjen e tij thellohen
Misteri rreth vendndodhjes së liderit të opozitës së burgosur rus, Alexei Navalny, arriti një nivel të ri të martën kur u shty një seancë e planifikuar në të cilën ai duhej të paraqitej, madje duke e lënë gjykatësin pa përgjigje për vendndodhjen e tij.
Navalny, një nga kritikët më të ashpër të presidentit rus Vladimir Putin dhe qeverisë së tij, nuk kishte qenë në kontakt me ekipin e tij ligjor prej disa ditësh dhe ishte sëmurë rëndë.
Zëdhënësja Kira Yarmysh tha se zyrtarët rusë kanë refuzuar t’u tregojnë se ku ndodhet Navalny, përveç se ai nuk është më në koloninë penale ku ishte mbajtur teksa vuante një dënim 19-vjeçar për ekstremizëm.
Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalnyt tha se gjykatësi që kryesonte seancën dëgjimore të Navalnyt pyeti se ku ishte lideri 47-vjeçar i opozitës dhe u ridrejtua në Shërbimin Federal të Ndëshkimit.
Zhdukja e Navalnyt erdhi menjëherë pasi Putini njoftoi se do të kandidonte për një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president i Rusisë. Navalny dhe ekipi i tij i kishin kërkuar banorëve të votonin për kandidatët e opozitës në shenjë proteste.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha të hënën se Shtëpia e Bardhë ishte “thellësisht e shqetësuar” për zhdukjen e Navalnyt. Ky koment tërhoqi një qortim të ashpër nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov të martën, duke akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje.
“Këtu po flasim për një të burgosur, i cili sipas ligjit është shpallur fajtor dhe është duke vuajtur dënimin, dhe në këtë rast ne e konsiderojmë të papranueshme dhe të pamundur çdo ndërhyrje nga kushdo, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Peskov për gazetarët.
