NATO ndalon tre avionë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Estonisë
Tre avionë luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë dhe janë ndalur nga NATO, ka bërë të ditur aleanca ushtarake.
Ministria e Jashtme e Estonisë në Talin e dënoi incidentin si një akt “të paturpshëm” duke sqaruar se tre avionë MiG-31 hynë pa leje mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan për rreth 12 minuta në hapësirën ajrore të një shteti anëtar të NATO-s.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca reagoi menjëherë dhe interceptoi avionët rusë, por nuk dha më shumë detaje lidhur me mënyrën e ndërhyrjes.
Nga ana tjetër, ushtria ruse deri më tani nuk ka komentuar publikisht mbi këtë rast.
Ky incident vjen në një kohë tensioni të lartë mes NATO-s dhe Rusisë duke ngritur shqetësime të reja për sigurinë ajrore dhe stabilitetin në rajonin e Baltikut. /Kosova.info/
