Nagavci: RTK-ja të ketë Bord profesional në shërbim të qytetarëve
Nesër në orën 10:30 do të mbahet mbledhja e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Kryetarja e Komisionit ad hoc të Kuvendit dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se në mbledhjen e nesërme do të shqyrtohet lista e kandidatëve të propozuar për anëtarë të Bordit të RTK-së dhe dosjet e tyre, si dhe do të vendoset për metodologjinë dhe kohën e intervistave.
Ajo ka bërë të ditur se në mbledhjen e kaluar janë diskutuar hapat e mëtejmë të procesit, me theks të veçantë në transparencën dhe profesionalizmin që duhet ta shoqërojë përzgjedhjen.
Ajo ka theksuar se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të drejtë dhe në përputhje të plotë me kriteret ligjore në fuqi.
“Mbetem e përkushtuar që përzgjedhja të jetë e bazuar në meritë, integritet dhe përgjegjësi publike, në mënyrë që Bordi i RTK-së të përbëhet nga profesionistë të denjë që i shërbejnë interesit të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook. /Kosova.info/
