Kushtrim Sadiku kërkon falje pas debatit: Problemet shëndetësore më vështirësuan komunikimin

Gazetari Kushtrim Sadiku ka reaguar publikisht pas debatit të së enjtes në emisionin “Politiko” duke kërkuar falje për situatën e krijuar dhe duke sqaruar arsyet shëndetësore që, sipas tij, kanë ndikuar në komunikimin gjatë emisionit.

Sadiku ka bërë të ditur se po trajtohet për një sëmundje të lukthit që e ka prej vitesh, ndërsa ka shtuar se edhe procesi i implanteve dentare i ka vështirësuar të folurit duke i shkaktuar dhimbje dhe lodhje të konsiderueshme.

“Gjithçka tjetër që po përflitet në rrjete sociale nuk është e vërtetë,” ka theksuar ai duke hedhur poshtë spekulimet që janë shpërndarë online lidhur me rastin.

Ai është shprehur se, pavarësisht gjendjes shëndetësore, ka tentuar të mos mungojë në punë dhe të vazhdojë angazhimin e tij 17-vjeçar në televizion pa ndërprerje duke theksuar se kjo situatë ka ardhur si pasojë e një vlerësimi të gabuar në këtë rast të veçantë.

Duke iu referuar ngjarjeve në Kosharja, Sadiku ka shprehur respekt të veçantë për këtë zonë, si në aspektin personal ashtu edhe profesional duke kujtuar se ka realizuar dhjetëra emisione për këtë vend.

Ai gjithashtu ka reaguar ndaj, siç i quajti, “stuhi llumi” në rrjetet sociale duke përmendur grupe me motive politike dhe dashakeqe që, sipas tij, kanë ndikuar në përhapjen e komenteve negative.

Në fund, Sadiku ka theksuar se mbetet i përkushtuar për të vazhduar punën si autor i emisionit dhe ka paralajmëruar rikthimin e tij në transmetim në “Kanal 10”, në emisionin “Politiko”. /Kosova.info/


Go to TOP