Murati: Paga minimale prej 500 euro nuk është shkarje logjike, por rritje graduale e qëndrueshme

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave dhe interpretimeve që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale për deklaratat e tij të para tre viteve lidhur me pagën minimale.

Disa portale dhe analistë kishin rikthyer në vëmendje një deklaratë të Muratit të bërë në vitin 2021, ku ai kishte thënë se paga minimale prej 500 eurosh do të ishte “kapërcim i papërballueshëm” për ekonominë vendore. Sipas tyre, ky qëndrim ishte në kundërshtim me propozimin aktual të Qeverisë për pagën minimale 500 euro në vitin 2026.

Mirëpo, Murati e ka quajtur këtë interpretim të gabuar dhe të nxjerrë nga konteksti duke sqaruar se kushtet ekonomike kanë ndryshuar ndjeshëm që nga ajo kohë.

“Ajo çfarë po harrojnë ta përmendin këta është se kur nga disa deputetë kërkohej që paga minimale të bëhej 500 euro para 3 viteve, paga minimale në fuqi ishte 170 euro, ndërsa paga mesatare e publikuar nga Agjencia e Statistikave ishte ajo e vitit 2021 në nivel prej 484 euro. Pra atëherë kërkohej të caktohej një pagë minimale që ishte më e lartë sesa vetë paga mesatare – që përbënte shkarje logjike dhe kapërcim të papërballueshëm për bizneset,” ka shpjeguar Murati.

Ai theksoi se situata aktuale është krejt ndryshe: “Tash kur ne kemi propozuar pagën minimale prej 500 euro, të zbatueshme në dy faza, paga mesatare është 639 euro, ndërsa rritja nga niveli aktual prej 350 euro fillimisht në 425 euro paraqet rritje prej 21%, dhe faza tjetër nga 425 në 500 paraqet rritje prej 17%.”

Murati tha se propozimi i tanishëm është i matur dhe i qëndrueshëm ekonomikisht duke e cilësuar si një hap real për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

“Pra, propozimi i tashëm nuk është shkarje logjike, sepse nuk është mbi pagën mesatare dhe rritja është graduale, jo 3-fishim përnjëherë,” përfundoi ministri në detyrë. /Kosova.info/


Go to TOP